Beteja e Kosharës u zhvillua më 9 Prill të vitit 1999 në kuadër të komandës së UÇK-së. Ushtria Çlirimtare e Kosovës mori mbështetje nga Ushtria e Shqipërisë. Është njëra ndër betejat më të përgjakshme dhe më të suksesshme të Luftës së Kosovës. Në këtë betejë Ushtria Jugosllave e humbi kontrollin e kufirit Kosovë–Shqipëri, e cila ishte një fitore e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke i detyruar ushtarët serbë të largohen nga kufiri dhe duke e mundësuar kalimin e sigurt të armëve dhe vullnetarëve nga Shqipëria për në Kosovë. Beteja e Kosharës zgjati nga 9 Prilli deri më 10 Qershor 1999, kur edhe u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës e cila i dha fund Luftës së Kosovës. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës. Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet shqiptare, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të thyhet kufiri gati 100 vjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Beteja e Kosharës ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.
This memorial was sourced from the AMMKM. See what that means ↗